Wednesday, July 31, 2013

Vullnet Mato - DITË TË PËRVËLUARA VERE















Vullnet Mato

DITË TË PËRVËLUARA VERE

Tani të tërë shirat
kanë vdekur dhe janë varrosur
në humnerat e nëntokës,
mes shkëmbinjve të rëndë.
Në horizonte digjet lëkura e dheut
nga nxehtësia e alivanosur 
dhe nëpër pemë përcëllohen
gjinkallat e shkrumbuara në këngë.

Retë kanë shkuar të krehin krelat
me krehër vetëtimash në ishujt Malvine,
se këtu flokët e dendur ua shkurton
gërshëra e skuqur e diellit,
teksa era bën tualet diku larg,
në sallonin e padukshëm të stinëve.
dhe ylberet kanë palosur
të gjitha shallet në raftet e qiellit.

Trëndafilat në kopësht i poqi vapa
me grahmat e saj përvëluese.
Në këtë thatësirë edhe zërat e zogjve  
kanë mbetur të mekur nëpër fusha.  
Ne kemi mbetur në bunkerët e dhomave,
ku na ka mbyllur nxehtësia ngujuese.
Zemra ime,
a e mban mend prillin,
kur puthjet të çelnin manushaqe te gusha?...

Tani ti nuk vjen dot më,
si në pranverë të bëjmë dashuri...
Lëkura jote e mëndafshtë vyshket
nga larja me kripëra djerse nëpër vapë,
duhen veçse valët kaltëroshe të plazheve,
me të vetmen freski,
ku nuk përballohet gjithë vera,
pa miliona në bankomat...

Ah, prilli i gjorë, mori me vete
dhe gjelbërimin tonë nëpër barishte!
Uh, plasëm brenda mureve prej betoni,
për pak ledhatime ere në natyrë... 
për pak puthje freskëta,
mes blerimit të gjetheve shushuritëse,
ku të merrja kalikiç,
si thesarin e shtrenjtë ngarkuar mbi shpinë...






No comments:

Post a Comment