Wednesday, July 24, 2013

Qazim Muska - DREJT TEJE JAM NISUR















Qazim Muska

DREJT TEJE JAM NISUR

Drejt teje jam nisur e dot nuk po mbërrij,
Dhe koha më duket se nuk paska cak,
Dhe pritja më duket se nuk ka kufi,
Dhe trupi më duket pa mish e pa gjak.

Nëpër dete ndjenjash notoj i sfilitur,
Sirena marrëzish më ushtojnë në vesh,
Në erëra mendimesh endem pa e ditur,
Se po të largohem shpesh edhe më shpesh.

Ndoshta dhe ti pret në pritjen e gjatë,
Thur e shthur pëlhurën e shpresës pa fund,
Ëndrra të mistershme, ndoshta, sheh çdo natë,
Dhe në çdo mëngjes mirazhet i shkund.

Mbi kalin e shpresës vrapoj i shtrënguar,
Me jelet shpalosur nëpër mjegull – re,
Si vegim më shfaqesh duke kalëruar,
Dhe prapë më ushqen kurajo të re.

No comments:

Post a Comment