Fatmir Terziu
INDIFERENCË
Indiferencën tënde e ndjej. Sytë
e zgjojnë me shamatë qepallash,
nën vetullat e mia zbret ngadalë,
jam vetë indiferent dhe topitem,
një shuk dëbore që shkrin nën bark,
të lutem zgjoje paksa stuhinë,
që lamë viteve të tëra larg.
Durimi vallëzon çmendurisht,
për vitet e gjata që na kanë vënë poshtë,
është e natyrshme të mbarsemi me fjalë,
si xhaketa të varura në gozhdë,
në dashuri, indiferenca është mjaltë,
që lyen të gjitha mbërtheckat,
pa to gjithçka është e zhveshur,
si vetë zhveshja e ngarë nga indiferencat.
Kujtojmë se indiferenca është entitet më vete,
edhe në fushën me hoje mjalti,
lundrimi në dashurinë tënde,
natyrshëm që lindi nga vetë fati,
për të sfiduar indiferencën më vete,
syri im është vetë fakti,
ku ti e dashuruar përjetë mbete.
No comments:
Post a Comment