Vullnet Mato
MANAT E FERRËS
Ferrës i pëlqen të pjekë
manat e zogëzave,
të ëmbëlsuara përkrah
gjembave të zinj.
Ferra gjëmbaçe u jep
bekimin kokrrave
të ziejnë për njerëzit,
më të kërkuarën raki.
“Më mbani, more amani,
se u deha me raki mani!”
tha çakërqejf dhe u hodh
përmbi ferra pijetari.
Pa menduar se aty lepuri,
breshka dhe shejtani,
fshihen nga pijaneci,
kur ia kalon të marrit.
Sa herë jemi ndalur,
përpara lëmshit të ferrës,
për të mbledhur grushtin
me kokrra të ëmbla,
s’na ka shkuar mendja
se aty violinat e erës,
kanë kënduar bashkë
me zogjtë mbi gjëmba.
Rrëzë ferrës dhe brenda
prehrit të saj të fshehtë,
dashnorët kanë ngjizur
kopilat jashtë kurore.
Ferra është e vetmja
pronare që motelin e vet,
lëshon pa qira për qejfet
në kushte rrethanore...
Kur ferra na ngatërrohet
pas këmbëve fare kot,
ndoshta me pickimin e saj
dëshiron të na thotë:
Më shani:”Mu bëre ferrë!”,
vetëm se kam gjemba,
por ndodh më të hidhur
t’i keni vetë nëpër zemra.
Të paktën unë kam mana,
që ëmbëlsoj zogj dhe zana!...”
No comments:
Post a Comment