Agim Bajrami
VAJZA E LINJËS SË LARGËT
Zbriti një vajzë nga linja e largët,
Me autobuzin që mbërriti së fundi,
Mbi trotuar trokiti takat
Sikur nga gjumi desh t′i shkundi.
Nuk kishte flokë, po dallgë lumi
Që rridhnin vrullshëm gjer tek beli,
Mbi trup të saj syri na humbi
Dhe kafja e hollë në fyt na ngeli.
Shoferët zbritën nga taksitë
Dhe djemtë lanë gotat nëpër bare.
O perëndi ç’na shohin sytë
Kjo nimfë na e hoqi trurin fare!
Me sy të bukur gjithë nur
Dhe gjinj që loznin nën fustan,
Kjo ngjan e tëra si skulpturë
Me stil të lashtë praksiteljan.
Apo mos vallë është një demetër
Që gabimisht ka ardh tek sheshi?
Skulpturat janë me sy të fjetur.
Kjo di të eci dhe të qeshi.
Zbriti një vajzë nga linjë e largët
Përballë lulishtes erë maj,
Qyteti mbushi trotuarët,
Dhe zu të rendte mbrapa saj.
No comments:
Post a Comment