Sunday, June 10, 2012

Drita Lushi - DY BUZË



Drita Lushi

DY BUZË

Dy buzë.
Vetëm dy janë ato.
Puthitur si horizonti me qiellin,
fshehin pas rruazave të fildishta
kushdi sa sekrete,
fjalë të pathëna,
puthje të padhëna,
urrejtje të shkruara
në pergamene memece.

Dy buzë.
Vetëm dy janë ato.
Po kur horizontin e puthitur kalojnë
mijëra fjalë, freski u japin shpirtrave
e ngrohin me jetë zemra të ngrira.

Dy buzë.
Vetëm dy janë ato.
Po kur fjalët kafshojnë e s’mbahen,
dhimbshëm, a ndoshta me dëshirë,
ushtarë me heshta në duar shndërrohen,
dhe si leva e Arkimedit,
botën levizin,
dhe mbi të shtete,
dhe mbi shtete njerëz
në lëvizje kaotike
e luftra ndalen,
të tjera fillojnë,
traktatet përpijnë
firma pompoze politikanësh.

Dy buzë.
Vetëm dy janë ato.
Kur lëvizin, që puthje të dhurojnë,
dashuritë llastare kapin me fijëza jete
në trupin e Afërditës grua;
kur ato puthin,
paqja shtron qilimin
thurur me duar grash,
si gjethe të blerta,
punuar me fijëza uterine,
që jetë të ketë.

Vetëm dy buzë janë ato,
si dy brigjet në lumë,
po sa shumë përcjellin,
në dete jete, sa shumë!…

No comments:

Post a Comment