Sunday, March 3, 2013
Vullnet Mato - TRUMA ME ZOGJ
Vullnet Mato
TRUMA ME ZOGJ
Brenda meje ligjëron
një trumë me zogj,
dhe rreh krahët pa pushim.
Ata më këndojnë
çdo stinë në gjoks,
përmbi degët e gjelbra
të shpirtit tim.
Është vetë pranvera
e lulëzimit njerëzor,
të qeshurat dhe puthjet
e zjarrta të stinës.
Janë buzët manushaqe
mbi gjirin amësor,
që thithin kulloshtrën
e yllit të Afërditës.
Brenda meje
një trumë me qyqe,
drithërojnë zërat
me klithmat e vajtimit.
Janë dhimbjet fatkeqe
të gjithë miqve,
që më shkundin gjethet
e thara të shpirtit.
Ndodh brenda meje
truma e madhe me zogj,
shpesh këndon aq fort,
sa më buçasin veshët,
po kur jehona cicërimave
zërat e qyqeve mbulon,
atëherë bëhem foleja
ku zogjtë ngrohin vezët...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment