Sunday, March 10, 2013

Mentor Thaqi - DERË MË DERË...













Mentor Thaqi
 
DERË MË DERË... 
 
I lamë kockat, rrugëve t´botës,
derë më derë, tretëm rininë,
kot mundohemi, në teh t´gotës,
duke pirë, s´heqim mërzinë!

Jemë të humbur, s´jemë të lumtur,

malli djegë, për Gurë-Sokaku,
jo, malli s´tretet, dhimbja mbetet,
zemrat kalli, ah, i shkretë meraku!

O mërgim, ti plagë e vjetër,

ka shumë shekuj që na ndjekë,
jo, nuk kemë dhe një jetë tjetër,
kemi mbetur, për t´gjallë, vdekë!

Kush jam sot? Po, dje kush isha?!

S´ka njeri që më qanë hallin,
Ah, o Zot, më ndje! U prisha!
Veç Nënë-Mjera, s´e tretë mallin!

Mërgimtar, o hije e humbur!

Ëndërrat tuaja, në botë i tretë!
Zemërvrarë, kurrë i lumtur!
Se kush je, s´e din as vetë?!

Nëse ke, një fat të fundit,

të të vënë një Gurë mbi Varr!
N´tokën tënde, që n´djep t´përkundi,
apo, është ëndërr e marrë?!

Jo, gjë s´more, vetëm dhe,

nga Atdheu, që pas e le!
Fundi i fundit, kaq ke një hisë,
ku të dha Nënëlokja sisë!

No comments:

Post a Comment