Vullnet Mato
FOLA ME BARIN E GJELBËR
Teksa isha shtrirë
mbi qilimin si kadife e butë,
më foli bari i gjelbër
që fëshfërinte i qetë nën ahishte:
Dëgjo, o njeri i shkujdesur
që më shkel rëndë me këpucë,
pëshpëriti, me kërcellin e hollë
të gjuhës së tij barishte:
Unë jam gjelbërimi i parë
që dola mbi koren e lashtë të tokës,
dhe shtrova zahire të ushqeja
kafshët e para të kopeve.
Unë u priva gjithë pemëve
të zgjatin shtatin në qiellin e botës,
të lidhnin kokrra për njerëzit
dhe shpendët e foleve.
Jam krijesa më e imët që i jap
blerimin malit dhe fushës.
Unë shpoj i pari me fije të holla
dheun e trashë e dal përsipër,
të ushqej lepujt dhe lopët,
duke u nanurisur rreth gushës,
bleroj dhe qelizat e trupin tënd,
me barishtet e mia të stinës.
Dhe çdo viç, dash, dele, kec,
apo qingj i pjekur në hell,
ka brenda mishit të shijshëm
livadhet e lëndinave të mia,
ku kanë kullotur tufat e barit,
si dhe gërxhet ku kacavjerr
fëshfërimat e heshtura,
gjatë gjithë muajve të beharit.
Në gjethet e mia të holla
kërmijtë pinë vesën e agimit,
bletët me dridhërimat e krahëve
këndojnë të çelin lulet,
tek unë kolovitet flladi i ngrohtë,
që rend hapësirave të prillit
dhe vijnë fluturat reklamojnë
ngjyrat e ylberit para se të ulet.
Prandaj mos më shkel
të bësh udhë mbi fijet e mia,
siç më shkel pa mëshirë
dimri i egër me borë e ngricë.
Se kur thahem unë,
shkretohet i tërë dheu nga mërzia
dhe gjallesat vajtojnë
bashkë me shirat gjersa dal sërish...
Dëgjova gjer në fund,
fjalët fëshfëritëse të barit të blertë,
dhe i thashë me mirënjohje
e me respektin tim për bimët:
Sikur dyzet shpirtra të kisha,
o bar, që na gjelbëron në jetë,
tridhjetenëntë do t’i falja ty,
të na bleroje të gjitha stinët!...
No comments:
Post a Comment