Wednesday, March 20, 2013

Vangjush Ziko - DY POEZI















Vangjush Ziko

DY POEZI

ZJARRI VJOLLCË

Nuk e shkrin dielli akullin.
As dëborën nuk e ha juga.
Një lule po ma ngroh gjakun...
(nën savanin zhubra-zhubra
të rrahur nga kamzhiku i dimrit
ku bashkë me farat e drithit
kemi mbjellë eshtrat
dhe ëndrrat e fisit)...
Një manushaqe
po ndez heshtaz
zjarrin vjollcë të rizgjimit.

NJË GJETHE TË GJELBËR KËRKOJ

Udhëkryqi është kryqëzim
udhësh, mendimesh.
Udhëkryqi nuk kthen kurrë mbrapsht.
Shuhet dhe ndizet semafori i pritjes
si yll që mbi tokë i ndezur ra.
Pres vezullimin e ngjyrës së gjelbër.
E verdha më step.
E kuqja më shtang.
Nuhas si druri që pret pranverën
t' i shkrijë limfa e ngrirë në shtat.
Buletinet më nuk më lipsen.
Fallxhorëve më s' u besoj.
Rokadat e yjeve këmbejnë elipset...

Nga fjalët e ngrira letra griset.
Një gjethe të gjelbër të shkruaj kërkoj.




No comments:

Post a Comment