Thursday, March 28, 2013

Kaman Myftari - DY POEZI














Kaman Myftari

ERDHI PRANVERA

Erdhi pranvera më the duke buzëqeshur,
Sythat po çelin gjethet e lulet lulëzojnë nga çdo anë.
A nuk e ndjen aromën e tyre dehëse që përhapin,
Cicërrimat e zogjve që na ftojnë në lëndinat me bar?

Gjithçka është zgjuar nga gjumi dimëror i marsit,
Kanë flakur tej veshjen gri e janë qëndisur plot ngjyra.
Ndër deje vlon vrullshëm gjaku e ndjenjat e shpirtit flasin,
Me gjuhën e "mëkatit" që u mësoi dashuria.

Një tufë me lule më solle bashkë me pranverën,
Më zgjove nga ëndrra që gjithë dimrin kam parë,
Në fytyrën tënde pashë sharmin, shkëlqimin e diellit,
Buzëqeshjen e ëmbël të më të bukurës pranverë pashë.

T'u luta për një puthje që të ëmbëlsoja shpirtin
Por buzagaz më the:- Unë kurrë nuk e dhuroj puthjen e parë,
Nëse do të shijosh ëmbëlsinë time, eja butësisht ma rrëmbe,
Pas saj, të tjerat do të ëmbëlsojnë si hojet me mjaltë;

Të pres,.... eja si "kusar" i stërvitur, rrëmbyes zemrash,
M'a shtrëngo fort gjoksin që gati më shpërthen si vullkan,
M'a puth ëmbëlsisht gushën që ka aromën e luleve
Dhe shijo puthjet e ëmbla të pranverës më të bukur që ke pranë.
  
TI JE MË I BUKURI OAZ

Ti je si një oaz i bukur në mes të shkretëtirës,
Një bukuri që unë përjetë do ta ruaj në shpirt,
Ti si rrezja e diellit mëngjesor më fale frymëzimin,
Portretin tënd të bukur si "skulptor" ta qendis.

Ashtu si e ndjeva në thellësinë e shpirtit tim,
Portretin tënd me ndjenjë e pikturova,
Gërmova thellë në oazet e tëndes bukuri,
Të gjeja burimet e tua plot me mjaltë t'i shijoja.

Piva sa u ngopa, por përsëri mbeta i etur,
Nga ato burime mjalti që kurrë nuk shterojnë,
Përsëri do të kthehem të shuaj etjen e paepur,
Ëmbësinë dhe aromën tënde me endje të shijoj.

Të puth buzën që kuqëlon si karafil i lagur vese,
Gushën e bardhë si bora, të butë si mëndafsh,
Të përkëdhel flokët e artë si një ujëvarë pranvere,
Si fëmijë të pi gjiret e tua të bardha si hojet me mjaltë.

Të dehem me ëmbëlsinë dhe aromën tënde trëndafil,
Trupin të ta qëndis me duar e me buzën ndezur zjarr,
Të digjem në llavën e vullkanit që përherë ndezur rri,
Të tretem si qiriu mbi trupin tënd të mëndafshtë.




No comments:

Post a Comment