Monday, March 18, 2013

Vullnet Mato - SI MUND TË BËHET PORTRETI YT










Vullnet Mato

SI MUND TË BËHET PORTRETI YT

Kur kam pasur pikturën
pasionin e parë në art,
bëra portrete me vaj,
akuarele e ç’më zinte dora.
Tani ngjyrosjen e njeriut e bëj
me renditje fjalësh në varg,
dhe për portretin tënd të rrallë
do ngjyej penelat në metafora.

Për të pikturuar flokët e mëndafshtë
që luhaten supeve si lavjerrës,
do marr kataraktin e një ujëvare
që lëshohet nga lartësitë,
ku dita parukiere i kreh kaçurrelat
me krehrin e erës,
për të pritur zogjtë e etur
që kthehen të lodhur nga largësitë.

Kujdesin më të madh,
do ta bëj te përngjasimi i syve.
Ndoshta Ohri dhe Prespa,
liqene ngjitur pranë njëri-tjetrit,
bashkë me dy vetulla vargmalesh
që mbajnë mbi krye,
do të krijonin vështrimin tënd,
notues në ngjyrat e spektrit.

Më lehtë mund të formohen
buzët e tua gazmore rreth gojës,
kur herën e parë më the,
se më doje mbi të tjerët përqark... 
Vala e Drinit kur bashkohet
me dallgën e detit te delta e Velipojës,
mund të jepte imazhin ngazëllues 
që kam fiksuar nga ai çast...

Oh, puthja ishte një përzierje
Fryme me aroma lulesh plot nektar,
që nuk mund të materializohet
me asnjë ngjasim të dytë.
Ajo figurë mund të krijohet
në këtë portret të vonshëm imagjinar,
vetëm po të vish të thuash sërish:
“Hesht, o shpirt dhe mbylli sytë!”...       











No comments:

Post a Comment