Tuesday, March 19, 2013

Albana Lifshin - RINI E DYTË













Albana Lifshin

RINI E DYTË
I.
Sot arrita moshën tënde dikur, nëna ime,
Të sjell ndërmend të vetme,
veshur në t’errta, mbytur në mendime,
buzëqeshja jote mbetej përgjysmë
si buka e mëngjesit që në çantë ngrysej.
Dikush atëherë më pat thënë:
“Jepi leje nënës të martohet,
Ajo është e re, ti do largohesh,
e vetmuar do mbetet. E vetme, si jetohet?”
Ecja rrugës si e dambllosur atë mbrëmje,
s'më ndahej as syri qortues i Hënës,
Vërtet e ke,
që s'do t’i thuash gjë nënës?
Unë "fola" me nënën,
tek shtronte darkën,
si shaka ja vura përpara.
“Ulu të hash,” - tha ajo
dhe fshehu sytë nën qepalla.
Nëna ime s'u martua kurrë,
Zgjodhi më mirë,
mbi kurriz një mal dhimbjesh të mbante,
se sa hallet me një burrë të dytë t'i ndante.
Nëna ime 40 vjeçe të martohej përsëri?
Humor qe, a si? Më bëri për të qeshur.
Unë që veten në të bardha ëndërroja,
si mund të përfytyroja në vend' tim
nënën, qoftë edhe me të kaltra veshur?
II.
Thonë që fatet ngjajnë apo trashëgohen,
unë nuk di ç'të besoj, por erdhi ajo ditë
që jo nëna, po unë,
për të dytën herë të martohem.
Dhe ndodhi kaq larg nga vendi im,
Gëzim që afronte trishtimin,
kur nënën time s'e kisha pranë
të më jepte një fjalë bekimi.
Vjehrra e ardhshme ngriti kokën:
“E dashur, sikur gjë s'më the?
Unë martoj djalin, do bëj darkë,
gëzim kam. Ti, gëzim nuk ke?”
Dhe vjehrra-nënë, në tavolinën e parë,
gëzohej me mikesha e miq të pamoshë,
veshur me lajle e lule, gjyshër e gjyshe,
nga nëna ime... krejt ndryshe.
Im bir 20 plot, shok, vëlla e djalë
dorën ma vë në sup,
faqesh me fshin një lot,
ai që i vetmi më pat thënë:
“E di, o ma, që më do shumë,
por merak mos kij për mua!
Martohu, o ma, martohu!
Unë të lumtur të dua!”
Shokët e shoqet vijnë rrotull,
të kristaltat gota përplasen n'urime,
nga zemra m'pikon në syt’ e përlotur
gëzim-trishtuara nëna ime.
III.
Dielli loz me perden e mëndafshit,
mëngjesi ka ardhur, unë ende fle,
më zgjon telefoni vjehrrës-mëmë
mesazhin tek le:
"Honey, do shkojmë për një sebep nesër,
duhet të veshësh një fustan të ri,
unë ngjyrë rozë do ta blej timin,
ti, mos e do ngjyrë flori?
Ky zë i qeshur më drithëron,
më kthen në të largëtat kujtime,
më djeg të shkruaj,
(sa borxh ja kam!)
për të shtrenjtën nënën time?
...gishtërinjtë më dridhen,
ç'të shkruaj vallë?
Që nëna ime Zakonin kish ruajtur në zemër,
më shumë se dashurinë?
Apo dekoratat e njerëzve për ndershmërinë?
Se qëndroi "e fortë" e një gjysëm llaf s’i doli,
e bravo i qoftë, se burrë të dytë s'mori!?
O Zot, ç'të kujtoj, ç't’ju them,
është Dhimbje e madhe Nëna,
Dua t'ju rrëfej, por s'ju rrëfej dot…
Kuptomëni…
sytë më janë veshur me lot...
IV.
Dhe ja tek vini ju, gjeneratë e tretë
Mbi këtë botë të madhe-vështrim i sinqertë,
Ne bebe jua shoh ëndërrimin,
lëreni jashtë të fluturojë,
mos ja prisni rrugën me hije trishtimi.
Pëllumba të bardhë lëshoni në horizont
e rendni pas tyre si pas balonave fëmijët
e në u pengofshi rrugës, si fëmijët ngrihuni prapë,
të biesh e të ngrihesh, nuk është mëkat.
Dhe Ju të duruarat, fisniket vajza,
ju që gjithçkaje i jepni jetë,
në gabofshi,
mos i mbytni në lot qepallat,
mos i ulni sytë, dëgjomëni,
në dalje të tunelit të errët
ju pret një RINI e dytë!

No comments:

Post a Comment