Sunday, March 3, 2013

Vjollca Tiku Pasku - ÇASTE LUMTURIE
















Vjollca Tiku Pasku

ÇASTE LUMTURIE

Në kosheren e heshtur të agut, kur zgjohet,
bletëza ajri të bardha përzënë grerëza errësire,
dielli fryn me frymën e artë tokën që ngrohet,
më përcjell në punë me buzëqeshje rrezesh dëlirësie.

Pas pune me dëshirë kthehem në folezë,
fëmijët më presin si zogj me cicërimë,
duart e tyre më përqafojnë si dredhëz,
qiellin ma zbresin në tokë me ngazëllim.

Shoqërinë, maturën e viteve kur takoj,
tjegulla kujtimesh rendisim në biseda,
qeshim si kokrra bizelesh kur lundrojmë,
në qiejt e kaluar e në kohët e vjetra.

Kur domatet e kopshtit me dorë përkëdhel,
mollëzat e bukura si të diellit u kuqëlojnë,
pjepri nga hëna, dritën i ka marrë si mantel,
mes tyre kokë më kokë, një gjuhë pingërojnë.

Në mbrëmje kur nata vesh pelerinën e saj,
ngjyrat e yjeve si kopsa mbërthehen në vezullim,
një yll bashkëshortësie në zemër mbaj,
jemi dy aviatorë që mbajmë një ritëm në fluturim.

I mblodha të gjitha gëzimet e ngrohtësitë,
çdo çast një petale erë mirë kënaqësie,
e formova një trëndafilishte të madhe me kaltërsitë,
trëndafilin më të madh, e quajta trëndafil lumturie.

No comments:

Post a Comment