Sunday, March 31, 2013

Alexandra Adami - SIMFONI KAMBANASH













Alexandra Adami

SIMFONI KAMBANASH

Qielli u hap, rrufeja trokiti,
me simfoni kambanash shiu zbriti,
nuk ishte shi, por ishin lot,
lotët e Zotit që qante sot...

Birin e tij gozhduan në shkop,
ca njerëz të egër edhe mizor.
Por ai s’foli nuk tha asnjë fjalë,
shpirtin e tij la të dal me ngadalë.

Jetën e tij e dha për të gjithë  ne,
duroi dhimbje, ofendime gjer në re,
me lotët që rridhnin nga qielli si shi,
zoti tregoi dhimbjen e madhe të tij...

Saturday, March 30, 2013

Kostaq Mizaku - VETMIA JOTE













Kostaq Mizaku

VETMIA JOTE

Vetmia jote dridhet në qerpikë
Pulitje e syrit brenda dot se mban
Sado të rrëzëllejë buzëqeshja
Një  cipëz  bryme  rreth e rreth shpërndan

Në kopshtin ku shëtit, po troket dimri
Dhe  myshqe  veshin trungjet në veri
Ku- ku – në  kukuvajka  nëpër muzg
Përzien  me  një mjegull ngjyrë gri.

Dhe rri  trishton pastaj si atëherë,
Në maj të jetës kur të gjitha shirat
I humbe një nga një  gjer’sa u ktheve
Në një djerrinë rëre shkretëtirash  

Por  ndoshta nëpër degëzat që dridhen
Nga fëshfëritje e erës si vajtim
I ndjen tani të gjitha regëtimat 
Që nuk i ndjeve kurrë të shpirtit tim

Po mua s’më ka mbetur kushedi
Për ty në vatër ende shumë zjarr,
Atë që kam, ta fal me gjithë shpirt
Ta zbutësh sadopak këtë acar.

Friday, March 29, 2013

Makfire Cenolli - DRINI S'FLE AS ME PËRRALLË












Makfire Cenolli

DRINI S'FLE AS ME PËRRALLË

Kot përkund gjyshja Drinin,
nuk po fle as me përrallë,
mendon tek i lëmon buzët:
A mos dëshiron të pijë pak dhallë?

Një valë gjyshes seç i thotë:
Edhe dhalla bëhet prej Drinit,
kot acari shtrëngon dhëmbët,
s’e ngrin dot as gjatë dimrit.

Ninanana, vazhdon gjyshja,
por valët ngrenë tallazin
dhe sheqerkën e hedhin në tokë,
nuk heq Drini dot marazin.

Ulën, ngritën valë të tjera,
herë më lehtë, herë me tërbim
shpirti i tyre s’do qetësi,
sulën keq kur kanë zemërim.

Pastaj foli vetë Drini i Bardhë:
Nuk jam fëmijë, por jam plak,
mijëra vjet në këtë shtrat,
s’më ka lidhur nëna lulak.









Thursday, March 28, 2013

Kaman Myftari - DY POEZI














Kaman Myftari

ERDHI PRANVERA

Erdhi pranvera më the duke buzëqeshur,
Sythat po çelin gjethet e lulet lulëzojnë nga çdo anë.
A nuk e ndjen aromën e tyre dehëse që përhapin,
Cicërrimat e zogjve që na ftojnë në lëndinat me bar?

Gjithçka është zgjuar nga gjumi dimëror i marsit,
Kanë flakur tej veshjen gri e janë qëndisur plot ngjyra.
Ndër deje vlon vrullshëm gjaku e ndjenjat e shpirtit flasin,
Me gjuhën e "mëkatit" që u mësoi dashuria.

Një tufë me lule më solle bashkë me pranverën,
Më zgjove nga ëndrra që gjithë dimrin kam parë,
Në fytyrën tënde pashë sharmin, shkëlqimin e diellit,
Buzëqeshjen e ëmbël të më të bukurës pranverë pashë.

T'u luta për një puthje që të ëmbëlsoja shpirtin
Por buzagaz më the:- Unë kurrë nuk e dhuroj puthjen e parë,
Nëse do të shijosh ëmbëlsinë time, eja butësisht ma rrëmbe,
Pas saj, të tjerat do të ëmbëlsojnë si hojet me mjaltë;

Të pres,.... eja si "kusar" i stërvitur, rrëmbyes zemrash,
M'a shtrëngo fort gjoksin që gati më shpërthen si vullkan,
M'a puth ëmbëlsisht gushën që ka aromën e luleve
Dhe shijo puthjet e ëmbla të pranverës më të bukur që ke pranë.
  
TI JE MË I BUKURI OAZ

Ti je si një oaz i bukur në mes të shkretëtirës,
Një bukuri që unë përjetë do ta ruaj në shpirt,
Ti si rrezja e diellit mëngjesor më fale frymëzimin,
Portretin tënd të bukur si "skulptor" ta qendis.

Ashtu si e ndjeva në thellësinë e shpirtit tim,
Portretin tënd me ndjenjë e pikturova,
Gërmova thellë në oazet e tëndes bukuri,
Të gjeja burimet e tua plot me mjaltë t'i shijoja.

Piva sa u ngopa, por përsëri mbeta i etur,
Nga ato burime mjalti që kurrë nuk shterojnë,
Përsëri do të kthehem të shuaj etjen e paepur,
Ëmbësinë dhe aromën tënde me endje të shijoj.

Të puth buzën që kuqëlon si karafil i lagur vese,
Gushën e bardhë si bora, të butë si mëndafsh,
Të përkëdhel flokët e artë si një ujëvarë pranvere,
Si fëmijë të pi gjiret e tua të bardha si hojet me mjaltë.

Të dehem me ëmbëlsinë dhe aromën tënde trëndafil,
Trupin të ta qëndis me duar e me buzën ndezur zjarr,
Të digjem në llavën e vullkanit që përherë ndezur rri,
Të tretem si qiriu mbi trupin tënd të mëndafshtë.




Vullnet Mato - TI HYRE BRENDA MEJE














Vullnet Mato

TI HYRE BRENDA MEJE

Ti ishe një trëndafil,
që sapo të mora erë,
hyre brenda gjoksit tim
bashkë me oksigjenin.
Lëshove rrënjë e degë
nëpër inde deri thellë,
dhe filluan në brendësi
boçe trëndafili të çelin...

Aroma më shpërtheu
nga të gjitha poret,
dhe u mbush shtëpia
me të trëndafilit erëmim.
Më thanë të afërmit,
Ç’ke që parfumohesh,
sikur je femër që shkon
për çdo ditë në takim?...

Më pas nëpër rrugët
dhe oborret e lagjes,
aroma e trëndafilit
shkoi derë më derë.
Më shihnin përqark
me habitje ziliqare,
sidomos lulet e saksive
që nuk kishin erë.

Provova rrënjët e tua
të shkul nga vetja ime, 
të drejtoj vështrimet 
që më shihnin vëngër.
Por ndjeva dhimbje
të forta me sëmbime,
gjembat më shpuan
nga koka te këmbët...

S’mund të të shkulja,
kurrsesi nga trupi im,
se ti e gjitha përbrenda
më kishe mbirë!...
Atëherë shikimet i lashë
të pëlcisnin me gjëmim,
përderisa me aromën tënde
ndjehesha fare mirë!...