Vullnet Mato
FARA LULEDIELLI
Eh, sa shumë farëza të zeza
nga lulet e verdha të diellit,
kemi blerë me kaushë letre
nëpër rrugicat e djeshme!...
Sa trishtime kemi thërrmuar
me dhëmbin e mprehtë të qenit,
për të shtyrë nga vetja
kohën e amullisë së hershme!...
Te thelpinjtë e hollë të farëzave,
dielli kishte vetëm emrin,
se në to ishin mbledhjet e vona
të shuplaka - autoshuplakave,
në to gjurmonin marshimet,
nëpër zboret e baltosur të terrenit,
duroheshin vërsuljet tinëzare
nga egërsirat e luftës të klasave.
Lëvozhgat e zeza kemi zhveshur
me dhëmbë e me thonj,
për tu kërkuar farëzave çlodhjen
nga aksionet vullnet-imponuara.
Kemi përtypur brengat memece,
duke përgjuar errësirën si langonj,
për të pritur me ankth
hapat e dashurive të penguara.
Në rrak-zhdaket sfilitëse të trenit
që tërhiqte magazina çeliku,
qëkur sorra natësore fillonte
të bënte vezën e artë,
derisa nga shporta qiellore
e kullufiste dragoi i Adrtiatikut,
tymi i naftës na dilte përzier
me gazra farash nga zorra e trashë.
Nëpër shkollat e mbrëmjes,
ku përtypej marksizëm-leninizmi
dhe idetë na dilnin të paasimiluara
nga kanalet kujtesës së fshehtë,
vaji i farëzave na lubrifikonte
jashtëqitjet e organizmit,
në vend të vaj ullirit që u çohej
kinezëve të “miqësisë së shtrenjtë”.
Gjithë farërat e luleve me kryet
nga dielli i Lindjes proletare,
që përtypëm për të shtyrë
pengun e tejzgjatur kohor,
t’i kishim mbjellë qysh atëherë
në parcelat e ngecjes shqiptare,
do kishim zbritur në tokë
gjithë rrezatimin e diellit Perëndimor.
No comments:
Post a Comment