Tuesday, April 24, 2012

Flori Bruqi - THEM SE ËSHTË ZBRAZËSI

 

Flori Bruqi

THEM SE ËSHTË ZBRAZËSI



Edhe ky qiell i huaj sonte…
më trishton me sy vetmie,
prandaj dua brenda një gote
të shuaj trishtime largësie...

Mbi duar shikoj si në magji
si rrëshqet pikëza e lotit,
ajo ikën në fund të gotës,
rrokulliset si era e motit...

Dua gota ime të përmbyset,
të thyhet përtokë e zbrazët...
Dëgjoj zemrën që më dridhet,
ngre kryet nga yjet e largët…

Mbi trupin tim gjithçka ndahet
dëgjoj, tingulli nuk bie si dikur,
një dorë e ndarë diku zgjatet,
një këmbë më ecën e këputur...

Shpirti thërret fatin e shtrembër,
dua të më shikosh drejt, po ktheu!
Mos vallë jam në ndonjë ëndërr
ndoshta, kupa e mallit më dehu…

Në këtë botë gjithçka gjykohet,
edhe një i lot i derdhur kot fare!...
Më shumë se kurrë kuptohet,
kjo klithma jonë shumëvjeçare...

Mjerimi sërish shpalos flamujt,
mbi varfërimin e shpirtin njerëzor,
thërret gjithkund shtatoret e bruzta,
jetimët barktharë të shekullit të vonë.

Nuk është risi, po kthim i pamjes së rëndë
në kohën e perënduar që kemi zgjedhur,
u kthye prapë për t’i trandë hipokrizitë...
me premtimet nëpër plehra hedhur.

Shpresa më thotë se po shpresoj kot,
e mali ngërdheshet nga larg me zili....
duart kullojnë gjak të përzier me lot
nga prangat e kohës vrastare pa drejtësi.

Lutjet kafshohen dhe shiten në altar,
zotni, sa do, sa të bën haku i vështirë?
Më prit ore, të bëjmë një herë pazar!
Dhe vrava për të fundit herë vargun e lirë....



No comments:

Post a Comment