ESENCA E PUTHJEVE
Qysh kur kam lindur,
deri këto vite në ngjitje,
si të gjithë njerëzit,
me shtjekat e buzëve,
provova të gjitha llojet
e puthjeve magjike,
po njëra prej tyre qenka
në krye të puthjeve.
Kur puthja e më puthte
nëna ime e shtrenjtë,
më dukej sikur në botë
s’gjendej lumturi tjetër,
atë çast bëhesha zog,
fluturoja nga shpërgenjtë,
përmbi male dhe dete
rrihja krahët e vegjël.
Kur putha vashëzën
që lidhi buzët me mua,
mu duk se qe ajo puthje
mbi tërë llojet e mjaltit.
S’ngopesha me ëmbëlsinë
që s’kishte të mbaruar,
dhe s’doja të më prekej
thërrimja e puthjes së fatit.
Kur puth tani nipin
me ata krahë engjëllor,
kam te buzët të vetmin
eliksir shërues në botë.
Kur vjen më puth faqet
e m’i lëmon me dorë,
vjen ylli shkëlqimtar
që ma mbush qiellin plot.
Ç’është kjo e çuditshme
ëmbëlsi që nuk të vel,
që të kënaq shpirtin
mbi tërë shijet e puthjeve?
Ndoshta është esenca,
përzierje puthjesh koktejl,
nga buzët e prindërve,
vëllazërive dhe nuseve...
No comments:
Post a Comment