Skënder Rusi
GRAFIA E NJË QYTETI
Këtu kalojnë të gjithë,
para këtij xhami të madh të kohës,
kanë nisur të ndoten kristalet e tij
dhe del turbull grafia e botës !
Thashë që kalojnë të gjithë,
gra të tradhtuara, por edhe kurva,
unë i dalloj nga mënyra si i nxjerrin gjinjtë,
si i zbulojnë këmbët e bukura!
Këtu kalojnë të gjithë,
Eunukë që s'u bënë dot as poetë të vegjël,
pijanikë të dëgjuar apo kryetarë partish,
marioneta që vijnë nga një botë tjetër!
Kalojnë të gjithë, po ju them,
spiunë të fshehur pas njerëzve të thjeshtë,
ku secili ka shkaktuar më tepër se një dimër,
ka rrëzuar gjethe më tepër se një vjeshtë!
Këtu kalojnë të gjithë,
të dashuruarit që puthen e s'kanë si ne, turp,
unë i shoh nga ky xham -skaner çdo ditë,
si në një film pa fillim e fund!
No comments:
Post a Comment