Tuesday, April 24, 2012

Alfred Molloholli - PUTHJET



Alfred Molloholli

PUTHJET

Kam puthur shumë në këtë jetë,
femra të serta dhe manare,
dhe kur ato s'kanë dashur vetë,
ua kam marrë pa leje fare.

Ndoshta shpesh mund të jem ndjerë
i rrezikuar buzë një honi,
por, kurrë puthjen s'e kam blerë
as, tradhtisht, siç merret froni .

I kam dhënë e i kam marrë
me mall, ndjenjë të prushëruar,
sytë e dhimbjes me lot - larë
me buzën time i kam shuar.

Nuk jam aspak një Donzhuan
për k'të, ju lutem, më besoni !
Por, shpirti im veç puthje mban
jo , togfjalëshin: '' forcë zakoni '' .

Shpesh kanë ikur, më kanë lënë
si dëborë e rënë mbi mal,
zëri i zemrës më ka thënë :
- Ti , jep veç puthje  dhe fal !...


No comments:

Post a Comment