Monday, April 2, 2012

Shqiponja Axhami - PRAPË SE PRAPË



Shqiponja Axhami

PRAPË SE PRAPË

Prapë se prapë,unë matem me frymën time
që e lë tufnajë lulesh në rrugën e qethur nga fati...
në rrugën time
ku kalldrëm kam shtruar kockat e mia për së gjati…
 
Ju më ndiqni, ndoshta dhe më urreni
se pamfletët tuaja të tymta,kurrë si desha
në krahët e mi prej mjelme
s’u ngatërruan në mbathjet tuaja të qelbëta...
 
Unë qeshë i varfëri, hëngra me gishta e s’u tremba
fyerjet tuaja si makarona të pista
Unë qeshë i mallkuari, Zoti qau kur pa,
se në gjoksin tim dhe Djalli dëshirueshëm ra.
Unë qeshë poeti që vesha në vend të rrobave
koren e tokës…
e në vend të opingave lëkurën ja ngreha kohës..
 
Unë jam fundi dhe fillimi,
rrugën time do e shtroj me qilimat e dhimbjes
e në kambanat e fundit do lutem që tua laj gjynahet.
Unë kam lindur
për të vdekur mijëra herë,
unë kam lindur,
për tu ringjallur prapë,
unë kam lindur që dashurinë ta lë shtatzënë
e prapë se prapë s’mund të urrej askënd...

No comments:

Post a Comment