Fatbardha M. Xhani
NË DUART E TUA...
Unë shkova,
Po koka ime mbeti pas,
Kërkonte errësirës rrezet e trupit tënd,
Të syve
Që më kot u lodhën duke mbajtur
Liqenet e kthjellëta,
Në zgavrat e rrejshme
Të shpërfilljes...
Unë shkova
Por dora ime u shtri në falje,
Kërkonte të prekte atë që nuk e the,
Atë që s'dite ta thuash,
Atë që s'mundesh ta artikulosh
Sado të duash...
Unë shkova,
Por këmbët e mia u ndalën, s'mu bindën,
Donin sërish me majën e këpucës tënde
Të loznin,
Të humbnin ne prekje...
Të kërkonin këmbët e mia
E dhimbnin,
Ndërsa ti në të kundërt ecje...
Unë shkova,
Por me veshët e zemrës time
Dëgjoja tek pëshpëritnin
Flokët, hunda, buzët...
Kërkonin erën tënde
Ti lëmonte
Në mbrëmjen e muzgët...
Unë shkova,
Vërtetë shkova...
Por tërë ekzistenca ime
Më iku,
Ra e peshoi në duart e tua
Kuptova, kjo ish...
E vetmja mënyrë
Me të cilën,
Mund
Të të dua!
No comments:
Post a Comment