Wednesday, April 11, 2012

Agim Bajrami - BASTUNI I ALI PASHËS



Agim Bajrami

BASTUNI I ALI PASHËS
 

(Në muzeun e Fierit gjendet bastuni
i Ali Pashë Tepelenës)

 

Kush të solli vallë
Gjer këtu në Fier?
Bastun prej pashai
Me flori i lyer.
 
Rënduar prej moshe
Thinjash pleqërie
Kokën prej legjende
Trupin prej lavdie.
 
Shkoi  një shekull  tymi
Po shkon dhe një tjetër
Prap në sy akoma
Ke mallin e vjetër.
 
Netëve me veten
Flet me zë të mekur
Ende s’të besohet
Se ai ka vdekur.
 
Nuk të mbushet mendja
Ndaj shfryn prej trishtimit
E, ku pyet nga vdekja
Gjëmimi i gjëmimit!
 
Duhet të jenë llafe
Që dalin nga rruga
Nargjile e vjetër
Sërish nxjerr shtëllunga.
 
Shtëllunga të kuqe
Si kamare gjaku
Trimin dhe dinakun
E ka frikë dhe çarku.
 
Ja, ato dy re
Që rendin serbes
Janë shpur e Aliut
Që vjen prej Moresë.
 
Mbrapa e ndjek nata
Para i prin era
Epiri mat ditët
Me koka të prera.
 
Një sy ngjyrë dielli
Tjetri ngjyrë rrëshirë
Trimi dhe mizori
Në një trup të shkrirë.
 
Shkel përmbi fermane
Dhe bën siç do vetë
Kot thonë ish i Hankos
Nënë kishte rrufetë.
 
Këto thotë bastuni
Teksa psherëtin
Ndaj shpeshherë i teket
Të marrë arratinë.
 
T’i ngjisë prapë bedenat
tutje mbi Janinë
përkrah me të Zotin
dhe Vasiliqinë.
 
Eh, Vasiliqia
Hënë e ndarë në dysh
E, ç’nuk do të jepte
Ta shihte sërish!
 
Por, pastaj kujtohet
Dhe ndër ethe kallet
Lavdia e dikurshme
Është kufomë që s’ngjallet.
 
Janë shembur bedenat
Dhe trimat e shkuar
Mbi gjol të Janinës
Fle një hënë e shuar.
 
Qëndron mes muzeut
Diku në një skaj
Por kurrë nuk përlotet
Është bastun pashai!

No comments:

Post a Comment