Kaman Myftaraj
PËR TË RINJTË E SOTËM
Sa do të doja ta ktheja njëherë kohën prapa
Dhe qelizat e vdekura t’i sillja në jetë,
T’i fshija rrudhat e lëkurën ta rinoja,
Flokët ti bëja ashtu si i kam pasur njëherë.
E çfarë do të bëje mund të pyesë dikush?
Pak më shumë nga sa bëjnë të rinjtë sot.
Do t’a bëja jetën ashtu siç e doja unë,
Jo ashtu si njëherë që t’a diktonte tjetërkush.
Në shkollë nuk do shkoja kot e për gallatë,
As prindërve nuk do t’ju kërkoja të më blenin diplomë,
As veshje të modës allafrënga e kostume me frak,
As Mercedes model i fundit, iPad e I Phonë.
Nuk them se do bëhesha Papë apo gumen manastiri,
As princ froni, kryeministër apo perandor,
Por njeri i ditur dhe me vlerë për vendin tim,
Të nderoja veten e familjen, këtë e garantoj.
Nuk do shkoja ditën pas femrave joshëse të bukura,
Me gjokset jashtë e me tatuazhe në kofshë,
Librat dhe laptopin do mbaja nën sqetulla,
Dhe do vrapoja në sallat e leximit që tashmë janë bosh.
Nuk do rendja në mitingjet e partive shqiptare,
Që janë më shumë sesa në qiell ka zogj,
Nuk do t’u përulesha “udhëheqësve” të “ndritur”,
Që në ekranet e TV hidhen përpjetë si kokoshë.
Jo, jo, nuk do të bëhesha kurrë vegël e tyre,
Që parim bazë kanë moton “përça e sundo”,
Dashurinë për dijen e për vendlindjen time,
Me shumë dëshirë do të përhapja kudo.
Nuk do kërkoja poste për të treguar kush jam,
Se kam nja dy apo tri diploma në xhep,
Me shumë dëshirë njerëzve të thjeshtë do t’u shërbeja,
T’u falja dashuri e të fitoja prej tyre respekt.
Sepse dihet, një herë vjen njeriu në këtë jetë,
Ose lind i vdekur, ose rron me nder si njeri i vërtetë...
No comments:
Post a Comment