Tuesday, February 19, 2013

Vullnet Mato - KOHA E PADUKSHME
















Vullnet Mato

KOHA E PADUKSHME

Koha e padukshme,
më tërheq në përpikëri,
për të ecur pa reshtur
në udhën e saj ekzakte.
Ndonëse pa këmbë,
pa gojë dhe pa  sy,
më drejton çdo çast,
me gjymtyrët abstrakte.

Në ecjen tonë paralele,
më kërkon korrektësi,
të mos mbetem prapa,
apo anash në ndalesa.    
S’më lë minutat e saj
t’i harxhoj për kotësi,
siç derdh ujin në kanale
ujërash të zeza.

Më ndalon rreptësisht
të hyj në xhungla fjalësh,
me kulpra përgojimesh,
dhe degëzime trillimi,
ku mezi dilet pa prerë
me teh sëpate frazat,
për t’i shpëtuar ndonjë
gjarpri fyes nga pickimi.

Më pengon të futem
në salla apo mitingje, 
të humbas çaste të arta
nga koha që s’përsëritet, 
duke klithur brohorima
për figura karrieriste,
ku urrejtja dhe sherret,
mund të më hanë ditët.

Më kërkon dhe sekondën
ta përdor në hapin linear,
për të krijuar të mirat
me mendje dhe me dorë,
të plotësoj nevojat jetike
për gjithë rrethin familjar,
të zgjeroj më tej përmasat
e perimetrit shoqëror.

Koha, vetëm në dashuri
më jep afat pa kursim.
Ndonjëherë më ka falur
dhe krejt orët e një dite,
kur mikja më ka thënë:
Mos ik, o shpirti im,
shkrihu me mua sot,
se s’ke shans po të ikën vitet!...








No comments:

Post a Comment