Monday, February 18, 2013

Fatmir Terziu - DY POEZI














Fatmir Terziu


ATË(DHE)KALENDAR 
 
I zjarrmtë,
i vrullshëm,
i zgjuar,
numëron, ditënetë të vitit që ikën,
dhe lë pas hije nga goma fshirëse.
I ndotur nga dimri i gjatë,
të të qenit larg,
në ikjen ditore
plot mall
prej rrathësh
që shkruhen ngadalë
mbi valëdeti të thinjura
të një arratie shpirti
me e pa kalendar.

Për t’iu afruar ditëve të qeta pranë Detit
Qashtër, mes Harpës së muzikalitetit
Bashkoj ditënatën
Ndjej deri në amsh stërkalat
Mes një tingëllime koralesh
Unë ndjej Sarandën
Në Atë(dhe)kalendar.

Ende i kam në trup stërkalat e Jonit
Lëkura ngjyrë koralesh më mban
Jodëmira etje vrigëllon
Mbi luftënaja dallgësh të hazdisura
Dielli afrohet pranë e më pranë
Dhe me sytë e mi të harlisura
Shoh ecjet të kthehen në ato anë...
Dhe ribëjnë Kalendar!

 
QIRIU

Nuk ia di gjuhën flakës së tij
Trupqetë i betuar drejt tretjes
Tymit që del nuk ia di rrugën
Flas me vetveten ...
... gjuhën e heshtjes.

Përshpirtja ime
Një natë e zymtë brenda tymit
Trupi im
një zjarr bubulak brenda flakës
bota një hapësirë ku flashket
edhe tymi,
edhe flaka...
një kënd ku treten padukshëm
edhe plaku...
... edhe plaka...
një zjarr që djeg vrullshëm
nuk duroj dot u mpaka!

I flas qiririt
Me gjuhën time të heshtur
Ndjej vëmendjen e tij dhe tretjen. Bota
Nën flakë të tilla të qeta shkundet
Dhe jeta i falet qiriut.

Nuk ia mësova gjuhën qiriut
Trupngritur deri në tretje sa një gisht
Fjalët që i thashë netëve të gjata të dimrit
Ti o Botë qirinjsh i dëgjove sigurisht?

Në heshtje iu drejtova edhe Naimit
Të mësoja gjuhën e tij me qiriun
Poeti i qetë foli mes ‘këndimit’
As vetë nuk e kuptoj sot njeriun?

No comments:

Post a Comment