Kostaq Duka
MARRËZIA
Që bota
ka pasur e do ketë
të mençur e te marrë,
është aksiomë që s’vihet në dyshim.
Çështja është
si të bëjmë
që të mençurit të na hapin udhë,
pa lënë të marrët të marrin drejtim.
Duket e thjeshtë
por sa e vështirë,
sidomos kur vetë populli marroset
pas klithmave
buzëqeshjeve, lajkave të marrëzisë.
SUPA
Supën
mund ta hash
Në një bujtinë anës rruge
dhe lodhjen nga ecja nëpër natë
ta përgjysmosh.
Supën mund ta hash
dhe në një restorant luksoz
me lugën e argjentë,
lëngun e ngrohtë ngadalë ta shijosh.
Supa,
mrekullia e artit kulinar,
pasaporta
e kuzhinierëve të botës mbarë.
E megjithatë,
s’ka si supa
në një tavolinë të thjeshtë,
nën çatinë e shtëpisë.
No comments:
Post a Comment