Tuesday, February 19, 2013

Vjollca Tiku Pasku - BABAI I BRAKTISUR
















BABAI I BRAKTISUR

Në pragun prej dërrase të kalbur,
ulet një plak i moçëm, me kësulën tërë vrima mbi kokë,
si nata që përpiqet të arnojë errësirën e gozhduar
prej orëve të saj, gjatë hijeve të lëna mbi tokë.
Ai shpresonte të shihte ovalin e dritës
në fytyrë të ndriçuar përtej kataraktit të territ.
Por një cipal ashkle që përkundej nga era
bie papritmas mbi faqen e tij,
dhe e pickoi si harrje e uritur për gjak.
Pikëzat e gjakut i rrëshqitën si rrëkeja e një ylli që bie ngadalë,
në brazdat e rrudhave të gjysmëhijes në faqen e tij.
Sytë e tretur nga solucioni i kripur i lotëve
i dogjën te zbrazëtira që i krijoi i vetmi djalë
dhe nga harresa e dhimbshme e vajzës së përkëdhelur.
Premtimi i vajzës që do vinte nga përtej oqeanit ta shikonte,
mbeti si premtimi i hënës që humbet në errësirë ku ishte ndezur.
Premtimi i djalit që do të kthehej sa here kishte nevojë,
u bë si ngjyrat e ylberit kur i mbulon myshku i reve.
Të dy me familjet e tyre përtej oqeanit,
i mbyllën premtimet, në dy grushte të shtrënguar harrese.
Dashuria e tyre për atin u hodh tutje si kërthizë e prerë.
Ai ngrihet i kërrusur duke zvarritur këmbët,
dhe mbyll derën e shpresës me shul përtese.
Çdo natë mbush duart me kujtime dhe i vë poshtë jastëkut,
ti bëheshin mirazhe ëndrrash, me një grimë shprese,
sa për një frymëmarrje të nesërme në varfërinë mes bollëkut.
Ajri i nxjerrë prej dufit të frymëmarrjes së tij,
shpërthen si kokrra orizi të kalbura nga vitet e kollitjes,
e bien bashkë me lagështirën në çimenton e thyer.
Por këtë natë vetmie ai nuk shpresonte asgjë.
nga filizat e hidhërimit që i polli pleqëria dhe pikëllimi
në strehën e dridhshme të buzëve me brengën e shpirtit.
Sqepi i mallit i çukiti rrënjën e zemrës deri sa e thau tërësisht.
Lutet me duar drejtuar altarit të qiellit
dhe zëri i tij plasarit si bubullimë ajrin e heshtur:
-O Zot, më jep pak thërrime dashuri!...
Por më pas nata e syve i ra si një perde mjegulle.
për herë të parë pas shumë kohësh buzëqeshi,
u shtri në krevatin e vjetër dhe mbylli sytë e hirtë.
Krahët e një drite të bardhë flatruan përreth tij,
duke i hapur një copëz qielli mes kaltërsisë,
dhe ai nisi udhëtimin drejt përjetësisë...

No comments:

Post a Comment