Thursday, February 14, 2013

Anila Dahriu - SHPIRTI IM VAMPIR

















Anila Dahriu

SHPIRTI IM VAMPIR

I shkruaja shkarravinat e lutjes,
Në të gjitha gjuhët e botës,
Nuk e shujta kureshtjen e zemrës
Për të lëshuar yjet e çmendurisë time.
Në sytë e tu, mbështetur në pritje, jam si shkumës
I shkërmoqur ajrit të tejdukshëm të së vërtetës.
Doja të bëja gjithçka në ishullin tonë,
Flakët e dashurisë të përpinin,
Qenien mërgimtare të fshehur në briskun e hollë,
Ndër shkëmbinj të ngrënë nga epshet e natës.
Erdhe një natë, papritur,
Ku shtrëngatat kishin mbërthyer shpirtin tim,
Mes klithjes të një ndjesie të paarritshme....
Më doje të isha mendja jote,
Ku mes jetës të jepnim një embrion,
Të lindte folenë e virgjër të dashurisë sonë,
E cila u shua mes mjegullës që jep shpirt me të
Akoma pa klithur sqepin.
Të lagur në shtrat shushurimash hijesh
Rraskapitet,
Nëpër pasqyra pa kthim të vetvetes.
Premtuam, një copë çokollatë, buzësh ta copëtonim.
Ulur rreth oxhakut me zjarrin e dritës së vështrimeve,
Të desha, të dua, se më dhè shijen e jetës...
Provova ndërgjegjen e pistë, fshehur nën çatinë e moralit fatkeq,
Gjeta një zemër që e shtrëngoj në thonjtë e shpirtit tim.
Ndjek kambanat e kishës kur mbledh leckat e mëkatarëve,
Ku shihen vjedhurazi ndërmjet tyre,
Fëlliqin fustanin tim të veshur me yje shumëngjyrëshe.
Aty është shkruar emri yt,
Mëkati i një nate të mëparshme,
Dergjur nëpër baltëra kënaqësie....
Bota ime u shemb që kur, njoha tënden...
Tani, çfarë më ka ngelur?!
Shija e hidhur e kujtimit që lëndon ulërimën e mëngjesit,
Me gërvishtjet e gjakut që rrjedh,
Nga shpirti im Vampir, për ndjesinë tënde.

No comments:

Post a Comment