Përparim Hysi
FËMIJËRIA
Fëmijëria një natë shkurti
Erdhi, më gjeti në Tiranë
Zgjohu,gjumash,nga gjumi
Se dhëntë kanë marrë mushanë *
U zgjova,sakaq, i tramaksur
(mos dhëntë do bëjnë zarar?!!!)
U turra pas zërit zbathur
Siç bridhja vite e vit më parë.
Çava në shkurre e ferra
Hyra në pyll me nxitim
Në pyll më është shtroera **
Se dimër është. Thëllimë.
Dhe aty,në mes të pyllit
Seç ndeza një zjarr bubulak
Pa pirdhu, i them, thëllimit
Tek thekem pak e nga pak.
Bukën e misërt nxjerr nga trasta
E thek mirë e mirë pranë zjarrit
Sa shije kjo bukë më paska
Lëpij gjuhën nga thërrmijat e djathit.
Si dëndem mirë e mirë
Ujët gllë-gllë kthej me pagur
Fëmijëri ! Ta dish mirë :
-Vjen ti dhe s'jam më burrë.
Burrë nuk jam.As plak
Jam ai djali çapkën
Në Tiranë? Jo.Aspak.
Tek mushaja jam.Me dhënë...
*mushaja- kullotë e përbashkët
** shtroera- i mbrojtur nga era e të ftohtët.
No comments:
Post a Comment