Thursday, February 14, 2013

Raimonda Moisiu - NATA E SHËN SHPIRTIT TIM
















Raimonda Moisiu

NATA E SHËN SHPIRTIT TIM

Mezi pres natën e Shën Valentinit,
atë natë që ka aq orë, sa netët e shkurtit,
por unë dëshiroj të mos mbarojë kurrë,
duke harruar edhe lindjen e diellit!

Atë,
natën e Shën Valentinit,
të vetmen natë në netët e mia,
natën e Shën Shpirtit tim.

Unë dua të më mbërthejnë prangat e ledhatimeve,
dhe përskuqja e puthjeve të nxehta,
si trëndafilat e Shën Valentinit.
Mezi pres agoninë e puthjeve, 
të magjepsura nga nxehtësia e tyre,
të shkrijnë acarin e shkurtit.

Mezi pres të marrësh peng përhumbjen e syve të mi,
ndriçimin e tyre të qelqtë e të gjelbër,
si blerimi në pranverë,
t’i japë dritë errësirës.

Të zbukurojmë bardhësinë e çarçafëve,
me aromën e kurorës së shpërthimit
t’u japë frymë trëndafilave të ndezur,
në kopshtin tim.

Jashtë bien qiparisët e flokëve të borës,
si nostalgjia e syve të qelqtë,
atë pranverë të parë, teksa çelje lulet e përgjumura,
në livadhin e mermertë si bora.
Mezi pres të ngrohim me frymën e ofshamave,
qiparisët dhe
t’i tretim në shtratin e virgjër të dëshirave,
kur hëna zbret në dritare e na shikon.
Mezi pres strehën e hajthshme të duarve tua,
në mashtrimin e brishtë të trëndafilave të bardhë,
që lulëzojnë në zjarrminë dehëse,
nën hutimin e diellit të mëngjesit,
nën fëshfëritjen e gjetheve ledhatuese,
që unë i dua kaq shumë,
jo vetëm në një natë me Shën Valentin,
por dhe në  natën  e Shën Shpirtit tim.

No comments:

Post a Comment