Tuesday, February 12, 2013

Lida Lazaj - PREJ MALLIT TIM















Lida Lazaj

PREJ MALLIT TIM

Është diku një vend,
me gurë, baltë e dhe të zi
ku mugullon një bar i ri,
prej mallit tim.

Është një pemë  atje, 
me degë të ngrira
që ka në majë një çerdhe
ku një trishtil sythjerrëze
cicëron trishtim,
prej mallit tim.

Është atje një trëndafil
që era lehtë e përkund
 mëdyshet  “të çelet a të mos çelet”
ah,i mungon fryma që përkëdhelet,
ka mallin tim.

Është atje një ndenjëse e drunjtë
që se kalb shiu, po e bren një  krimb
kërr-kërr, kërr-kërr e bren ai krimb,
prej mallit im.

Këmbë njeriu  nuk e shkel
at`vend me gurë, baltë e dhe të zi
sepse atje, bari i ri, që mugullon
 një trëndafil e një trishtil,
 një ndenjëse e brejtur që heshturon,

kanë shenjtëruar  mallin tim.



No comments:

Post a Comment