Wednesday, February 6, 2013

Vjollca Tiku Pasku - PERËNDIMI I NJË MJERIMI
















Vjollca Tiku Pasku

PERËNDIMI I NJË MJERIMI

Lypësi ulur pranë një tezge rruge,
kokën kish përkulur si gjethe e rrëzuar.
Përzhitja e diellit dhe  fshikja e  të  ftohtit,
mbi  fytyrën e tij, kishin vragosur luspa rudhash
me kamxhikët  e  kohës  
që  godasin tokën e  kalbur e lëne pështymat e zisë.
Nga sytë e pafat i rrokulliseshin ortekë lotësh,
që përpiheshin nga eshtrat e  ftohta të tokës.
Një  kupë e zhyer qëndron përpara,
si një pus i  shpuar, që pret  një  tringëllimë,
për  të  shtyrë më tej një  thërrime jetë.
Sy  mëshirues kalimtaresh lëshojnë ankthin... tring !...
që kupa të vazhdojë të pijë  iluzionin e fatit.
Një vakum mbytës i  pluhurit të këpucëve rrugëtare,
konservohet në kupën thithëse lëmoshare.

Nata  vjen si  një kulaç çerjepi i zi.
Tehu  i  errësirës së ftohtë e pret në feta 
dhe ato shpërndahen në thërrime të akullta, si zaje,
për  të  mbytur çdo grimcë sferike avulli të ngrohtë.
Korja  e  qiellit  mbuluar nga majaja e zezë e reve
dukej si barku i errësirës pa kufizim.
Tashmë në trupin e tij çdo gjë është ftohur, nuk lëviz.
Në dritën e hirtë të agut të  shkretë 
një qen merr kupën nëpër dhëmbë .
Ndërsa shtatorja e zheleve mbulohet 
në llurbën e ftohtë të dheut  .
Fija e fatit mbylli kyçin e një jete,
që vetëm zogjtë zunë ta qajnë ligjërisht…

Engjëjt e qiellit hapën  portën e premtuar …



No comments:

Post a Comment