Saturday, May 26, 2012

Vullnet Mato - SHQIPTAR, O SHQIPO FLUTURIMTAR!...





O klithmë e lashtë, mbi relievin me gërxhe të thepisur,
ngurtësuar nga llava vullkanike ndanë ujërave gadishullore!
Pjellë e zanave, me ofshamave mortore në gjoksin e stolisur,
dhe e kreshnikëve kordhëtar të gdhendur në eposet shekullore!
O krijesë e ngulitur nën Hënën e netëve me kollitjet e barutit  
dhe nën Diellin flakëhedhës të agimeve mbi kreshtat epike,
ku syri i akulluar te shënjestra hakmarrëse e Kanunit, 
kullonte në det lotët e hidhur të breznive tragjike! .....

Shqiptar, o lis i rritur shpateve, ku gurgullojnë me jehonë,
përrenjtë e gurrave nga burimet e përgjakura të etnive!
Atdhetar që të zbrazën në damarë qysh në embrion,
zemërimin e vetëtimave kacafytëse, për gurët e kufijve!
Qeleshebardhë i sertë dhe bujar,
vrastar për një pëllëmbë arë,
të ndarë mes disa rrëkeve me zjarr!...

Krismat e tua i kalibrove të arrinin deri në Lindje,
ku të thërrisnin grindjet e përjetshme të profetëve,
por veshët i mbaje nga Perëndimi i mrekullive,
ku shfletonin gjithësinë mendjet e ndritura të etërve;
Tek thelloje rrudhat e dheut rreth gurëve të varreve,
ku flinin epigrafet e pavdekshme të amaneteve, 
për të zgjatur përjetësinë fisnore nëpër ugare,
duke u hedhur stinëve farën jetëdhënëse të gjetheve.

Ku e gjete forcën, që frymën e ngjeshur në kraharor,
e shfryve aq fuqishëm nëpër të gjitha kontinentet,
duke kapërcyer meridianët, si brazdat e shpateve malor,
për të arritur hapat e penguar të dhjetëra vjetëve?!
Dhe shtrirjen e këputur në perimetrin e trojeve arbërore,
e lidhe fort tek e nesërmja e gjeografisë së ardhshme,
për të bashkuar blerimet e ndara të degëve rrethore,
me trungun e moçëm të limfës së përbashkët!...

Shqiptar, o shqipo fluturimtar me dy zemra
dhe me fijen e atdheut lidhur te këmba,
dije se cepin tjetër të tendosur me përmallime,
e ke nga kjo anë, të lidhur tek zemra ime!...   

O biri im, me shqiponjën dykrenore skalitur në kraharor,
të puthsha ballin tënd krenar dhe syrin qiellor!...            



No comments:

Post a Comment