Vullnet Mato
NGJYRAT E DIKURSHME
Kam ëndërruar dikur
të bëhesha një ylber,
të shtrija brezin purpurak
tejpërtej përmbi brigje,
të zgjatja krahët e ngjyrosur
largësive nëpër erë,
të ndaloja në qiell
retë e bardha të çdo grigje.
Mblodha tubeta ngjyrash,
nuanca për çdo njollë,
kuajve azganë u shkula
qimet nga bishti,
dhe i ngjita në shkopinj
prej bredhi të hollë,
për telajot e gatitura
me pëlhura liri.
Pastaj i zbrita retë
të mërzenin në vathë si dele,
pyjet nëpër korniza
i vura të shushurinin,
lumenjtë i ndala të rridhnin
në zallishte bezje,
futa detin në kuadrat
me gjithë dallgë e shkëmbinj.
Mbusha salla me krahina
nga veriu në jug,
me njerëz të çdo moshe,
fytyra të çdo forme
dhe fillova të shes troje,
fusha, diell në muzg,
male të thepisur, dete,
banesa me kulme bore.
Ato që mbetën, i nxora
nga kafazët ku flinin,
të fluturonin ku i mora,
andej nga më erdhën,
reve, lumenjve, deteve,
u hapa burgjet të lëviznin.
Se më erdhi mesazhi i shenjtë
të kalëroja penën...
No comments:
Post a Comment