Tuesday, May 8, 2012

Eleonora Koka - MAGJIA E HËNËS SË RE





Eleonora Koka

MAGJIA E HËNËS SË RE

Në ballkon dola sot ta përshëndes
Buzëmbrëmjen e verës së zjarrtë,
Hënën e plotë kur qiellin e ndez,
Dhe ndriçon tokën si disk i artë!
 
Reflekset ndrijnë mbi ujin qelibar,
Magjia e natës nis e më pushton,
Yjet në qiell ndizen e shuhen zjarr,
Zhytem mes tyre si algë e njomë!
 
Netët me hënën e re i dashuroj,
Nuk dua të fshihen pa emocione,
I çmoj të lashtët që e adhuronin
Si fletët e librit magjik e shfletonin.
 
Ku është Akropoli i lashtësisë,
Nga mezi i qytetit të Athinasë,
Paganët e lashtë flisnin me yjtë,
Netët henëplote i festonin jashtë.
 
Njerëzit u luten netëve me hënë,
I falen Tokës, flasim me engjëjt,
Adhurojnë hënën e bukur tek ndrit,
Flasin me detin, me malet, me yjtë.
 
Ashtu lind kënga, krijon penë arti,
Bindet qielli lutjet tona kur i dëgjon,
Shkruhen veprat, këndon gojëmjalti,
Lind harmonia, jetën tonë zbukuron!

No comments:

Post a Comment