Tuesday, May 1, 2012

Raimonda Moisiu - HESHTUR...



Raimonda Moisiu

HESHTUR...

Heshtur,
vështroj qiellin e errësuar,
përhumb në mjegullnajën e yjeve.
Vështroj hënën;
Këtë hyjneshë adhuruese,
besnike e sa e sa dashnorëve, që
shtrin krahët e saj prej drite argjendi,
në kopshtin me trëndafila,
ku çdo natë pagëzoj çdo yll,
me emrin: I dashuri im!
Heshtur,
hyj në bahçen e dëshirave,
ku nuk ka gardhe me shkurre të thata,
dhe me buzëqeshjen e harruar,
të flladit të puthjeve,
laj trupin në kroin e lotëve të dritës,
me qirinj e fenerë…..
Heshtur,
ndjej rrezen përcëlluese
të buzëve dhe
paqen e vështrimit adhurues.
Ndjej fustanellën e shprishur të kaçurrelave,
të ngrohë gjinjtë e mi…
Belbëzoj tinguj serenatash,
muzikën e lumtur të ofshamave…
Dhe si zog i shushatur,
bie në kurthin e valëzuar,
të botës së heshtur……
Heshtur,
ndjej aromën e qiparisit, që
vallëzon me lulen e paemër në kopshtin
e pëshpërimave pa fund.
Qenia ime strukur në folenë e zhveshur,
vrapon prej padurimit,
Dridhet nga flaka e mëkatit,
në atë errësirë, në vetmi,
nën vështrimin besnik të hënës,
ndjej afshin e përvëlimit të dashurisë,
Ndjej lirinë!

No comments:

Post a Comment