Sunday, May 20, 2012

Kaman Myftaraj - MALLKUAR QOFTË AJO DITË...



 Kaman Myftaraj

MALLKUAR QOFTË AJO DITË...

Eh si jam sot…
si gjeneral i një ushtrie të mundur,
shpërndarë në shkretëtirën ku dielli përvëlon,
si një i ri i dashuruar pa dashuri,
si një njeri që ecën në një lëndinë me lule,
por aromën e tyre nuk e shijon.

Nuk e di pse…
Diçka më mungon…
Sjell në mendje të shkuarën,
atë të shkuar që nuk shijova dot asgjë,
Ku në çdo hap që hidhje…
“hienat” të ndiqnin mbrapa të të copëtonin,
gjakun të të pinin e të të zhduknin…
sikur të mos ishe edhe ti njeri si ata.

Përse vallë?
Përse gjithë ajo urrejtje?
A nuk ishin edhe ata si ne?
Përse për një të qelbur karrige,
shitën shpirtin, qenien e tyre,
për të mbjellë frikën dhe ngritur lart lavdet,
për perandoritë e perandorëve pa ide?!

Sa shumë që ishin dhe nuk i njihnim,
se hiqeshin varfanjakë e miq me ne,
por prapa shpine na ngulnin thikën,
na mbushnin dosje me gënjeshtra e shpifje,
për të na groposur të gjallë në dhe.

Sa shumë dosje të mbushura me vrer e helm,
Sa të pafajshëm i çuan ku nuk u kthyen më.
Sa të tjerë i shkatërruan fizikisht.
E shumë të tjerëve u hoqën trurin,i lanë pa mend.

E përse vallë i bënë gjithë këto gjëma?
Përse ajkën e kombit e zhdukën krejt?
Ata thoshin se veç lirisë asgjë tjetër nuk deshën.
Nuk deshën që injoranca të errësonte dritën.
Shqipërinë gjoja e deshën parajsë përmbi dhe.

Vullkan që vlonte përbrenda qe mbledhur urrejtja,
Për perandorinë e gënjeshtrës e perandorët pa mend,
Për veglat e tyre qorre që na shpifnin dosjet,
Për ata që vranë e prenë e shkatërruan këtë vend.

Shkëndija u dha, shpërtheu vullkani që vlonte,
U ngit në këmbë gjithë populli me mënd e pa mënd,
U dogjën pasuritë publike, u thyen bustet e perandorëve,
Por fatkeqësisht “arkitektët” që mbushnin dosjet,
Dolën në krye si triumfatorë e në Kuvend zunë vend.

Tani flasin e betohen për demokracinë,
Herë në gjuhë të huaj e herë në shqip,
Premtojnë se këtë vend do ta bëjnë parajsë,
Por populli i mjerë akoma nuk po e kupton,
Se ujku qimen ndërron por zakonin jo.

Nuk duam që urrejtja të mbretërojë mes nesh,
Duam dashurinë, paqen e zhvillimin,
Demokracinë e Kuvendin e duam të pastër si drita,
Vota jonë e lirë nuk duam të shkojë kot,
Për “arkitektët” e dosjeve, perandorë e bij perandorësh.

Mallkuar qoftë ajo ditë që u lindën,
perandorët e vasalët e tyre shpirtzinj pa vlerë.
Në djall vafshin e kurrë më mos u kthefshin,
Duam të jetojmë të lirë aty ku kemi lerë!...

No comments:

Post a Comment