Vullnet Mato
RRËSHQITJE
Afrova pakëz buzët
te buza jote e ëmbël,
krejt instinktivisht
dhe pothuaj fare kot,
ndjeva një dridhmë
nga koka të këmbët,
dhe atë çast padashur
rrëshqita më poshtë.
Aty gjeta ato lodra
që më kishin munguar
dhe lodrova pakëz
me ngazëllim të plotë,
po më shkundi rryma
trupin e dridhmuar,
dhe atë çast padashur
rrëshqita më poshtë.
Pastaj më zunë befas
ca ethe me gjëmime,
që më rrëzuan përmbys
te këmbët në agoni,
ku një shkrepje e fortë
me shkarkim vetëtime
më shkriu e na saldoi
së bashku të dy!...
Truall në trup me kaq
pjerrësi rrëshqitëse,
nuk besoj se ka
femër tjetër në botë,
me rënkime bubullime
humnerave të rrezikshme,
siç rashë brenda tek ti
dhe nuk dola më dot!...
No comments:
Post a Comment