Sunday, April 14, 2013

Vullnet Mato - LËSHOJE ZOGUN FLUTURIM












Vullnet Mato

LËSHOJE ZOGUN FLUTURIM
Ndonëse me gojë
gjithçka ke mbuluar,
dhe s’do ta zbulojë
sekretin asnjeri,
një zog i fshehur
të cicëron papushuar,
në kafazin e gjoksit,
ku askush nuk e di.

Po mua vështrimi yt
më tregon tinëzisht,
me pulitjen e syve,  
si luhatja e valëve,
se zogun e pafajshëm
dënon rreptësisht,
vetëm për t’a ruajtur
nga thëllimi i fjalëve.

Syri im të vrojton
mbi vetull si qukapik,
kur shkërmoq për të,
thërrime mendimi.
Figura ime çdo çast
të endet nën qerpik,
kur buza të rrudhet
nga drithërimi. 

Ndrojtja të shtyn
ta mbash të vluar, 
por sado mundohesh
ta fshehësh me gjeste,
kafazi i gjoksit
nuk mbetet i maskuar,
kur ti padashur
tradhton vetveten!

Eh, sa zogj ndjenjash
në kafaze janë shuar,
pa shtrirë krahët 
në hapësirën e kaltër!...
Lëshoje zogun e gjorë
në qiellin e penguar,
të nxjerrë mallin 
e fluturimit krahëhapur!

Të dëgjojmë sërish
këngën e tij të nostalgjisë,
të na ndjejë shpirti prapë
kënaqësi e ngazëllim.
Lëshoje pa merak
se zbulohet zogu i rinisë,
tani s’jam më skifter,
të kap zogj në fluturim!...

No comments:

Post a Comment