Wednesday, April 24, 2013

Qazim Muska - IKJA QË MË RRËNON

















Qazim Muska

IKJA QË MË RRËNON
          (Për shokët e mi)
  
Pse ikët ashtu?!
Si në një lojë symbyllazi
Vrapuat dhe u fshehët s’di se ku
Në caqe të largëta,të huaja
Në shtegëtimin tuaj të pakthim
Dhe më latë këtu mua
Shtërgun e fundit të një arratie të pasosur
Me lëmshin e zjarrtë të mallit në duar
Që fijet e largëta
Ia mbledh cdo ditë.
Unë, strummbullari i vetem
Në një savanë përhumbjeje pa fund.

 Si ikët ashtu?!
Si një karvan i shprishur në shkretëtirë
Pa lënë asnjë gjurmë,
Asnjë shënjë rikthimi diku.

Në udhët e mykëta të riardhjes
Hija e vakët e dritëshpresës
Fanitet përditë.
Dhe përditë në boshllëkun e vetëvetes
Humbas peshën time
Rrethuar akullt
Nga një erozion tinëzisht diskret
Që m’i rrëzon fjalët si gjethet në vjeshtën e vonë
Pa u ndjerë,
M’i mpin buzëqeshjet si murlan,
M’a plogështon vrullin
M’a lodh mendimin si një ka të moçëm.

Si një brejtës i vogël, i pandjerë
Më rrënon përditë nga pak
Ngrehinën e shpirtit
Në të cilën emra fantazmë
Kryqëzohen korridoreve të trishtë
Si lakuriqë nate të çoroditur.

Ikët.
Atje,
 Në oazfoletë tuaja të largëta,
Brishtësisht të qelqëta,
Keni lidhur te pragu në formë fiongo
Fillin e kohës
Si mbi një kolipostë pa adresë
Harruar në vite.

Strukur në to, si guralecë të vegjël, të ngurtë,
 Copëza kujtimesh
Pluhurosur dhe zverdhur si  mall shekullor.
  
Dhe midis;
 Një kanion  i thellë, eterik
Që mban tendosur shpirtarat e përtharë;
 Bishtaja varur në tel të sertë të pezmatimit,
Të atij pezmatimi që na shtyp si një morsë e padukshme
Andej dhe këtej.

Ikët … 
Dhe mbetem
Pulëbardha të mjera
Nën mërmërima përshpirtjesh të zymta
Të një meshe që ende s’ka mbaruar…











No comments:

Post a Comment