Sunday, April 14, 2013
Vjollca Tiku Pasku - MIRË SE ERDHE PRANVERË
Vjollca Tiku Pasku
MIRË SE ERDHE PRANVERË
I gjelbër argjendi i pushit të barit te njomë,
e kaltër fryma e argjendtë e qiellit kur qesh,
e kuqe flaka e argjendtë e yjeve kur nata ndez,
e bronzët puthja e horizontit në mugun e vonë.
Pa ngjyrë buisin flatra të vogla në farëza nektari,
fluturojnë në përkundjen e dredhkave të erës,
adrenalinën ndjejnë para se të mbijnë filizat e jetës,
toka mbushet me kurora lulesh të sapoçelura behari.
Kashta e reve digjet përgjumur nga dielli që hesht,
rrezet veshin shik, kostumin e grunjtë rinor,
përkëdhelin lehtas foletë e zambakëve liqenor,
elipsi i pranverës jehon kudo me puthjen e blertë.
Muskujt e pemëve lëshojnë drita bistakësh,
sythat çelin rubinët e parë me afsh parfumues,
harmonika e pranverës luan me gishta ngjyrues,
pah i luleve ngrihet në lartësi nga krahë endacakësh.
E argjendtë ngjyra e cicërimave që mblidhet në diell,
e argjendtë dridhma e retinave në rrjetat e bebëzave të zogjve,
e argjendtë drita e mëngës së hënës, kur fshin retë e lotëve,
i argjendtë bekimi i engjëjve “lulëzo pranverë” në qiell.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment