Fatmir Terziu - MIRAZH
Fatmir Terziu
MIRAZH
U kthyen Mirazt e kamur nga rruga
Fryrë si dengje të akullta resh
Mes frymës së zjarrtë të ardhur me vrull
Erës piktore Deti thinjosh i buzëqesh
Qielli përmallet me lot gëzimi pafund
Damarët i fryn tutje flak retë
Dhe tërë grinajën me një frymë e shkund.
Rrugë e ngatërruar kjo rruga e reve. Çatia
Ime në shekuj u mban kandilin me flakë
Të sosin mbi Det portretin e tyre
Shkunden penelat e tyre mbi dallgë
Si skeletone kafshësh të tërbuar
Mbetur të tillë që nga kohë e lashtë
Edhe Da Vinçin e lanë të hutuar.
Në marshim me sandale të heshtura
Qepur që nga koha e Peleusit
Me emrin e shtrenjtë të të birit
në fletë të zverdhura Thembra e Akilit
qëndis harta me harqe dhe meditime
ushtarë të ringritur mes prushit e hirit
retë që zbresin e bëhen thërrime.
Zhurmë të fryra bubullimçe
Këto kokriza të drobitura legjendash
Kalldrëme ku rishtrohen përlotjet
Mbi kulme kalash e themele kishash
Bluhet rrëra me lotët e kripur
Dhe Era mbeti piktore e shtirrur.
Shënim:
1. Mirazt, këtu xhindët në mitologjinë gojore të trevës së Shpatit Elbasan.
2. Peleusi, këtu nga mitologjia greke.
No comments:
Post a Comment