Friday, February 17, 2012

Vullnet Mato - HERËN E PARË NË ADOLESHENCË



Vullnet Mato

HERËN E PARË NË ADOLESHENCË
                   (Për Shën Valentin)

Kur putha së pari,
të paputhurën asnjëherë,
m’u duk sikur buzëve
më flakëroi zjarri.
Por te buzët e saj
fryu stuhishëm një erë,
që e bëri të dridhej
me shkulme tufani.

- Ç’bëre ?! - tha ajo
sikur befas ndodhi hataja.
- S’të vrava, - i thashë,
vetëm tregova sa të dua!...
-Kur nuk di ç’më bën
babai dhe mamaja,
më kishe vrarë më mirë,
të kisha shpëtuar!...

Atëherë e putha sërish,
për herë të dytë,
se ata nuk e vrisnin,
gjersa e quanin “zemër”.
E shumta do e rrihnin,
sa t’i lotonin sytë,
që unë me buzë
t’i fshija lotët e ëmbël...

E pyeta me mjaft guxim
pas puthjes së dytë: 
-Në moshën time, babai yt,
nuk e puthi mamanë?...
Atëherë ajo mbështeti kokën,
mbylli dy sytë
dhe puthjen e tretë e la
të shëtiste në çdo anë...

No comments:

Post a Comment