Friday, February 3, 2012
Kristaq Turtulli - E DASHUR...
Kristaq Turtulli
E DASHUR...
E dashur...
Sytë e tu kur shoh, sa herë,
Përgjatë tridhjetë vjetëve,
Tridhjetë meridianë të botës sonë,
I tërësishëm ndjehem në katër horizonte,
Të katra stinët mblidhen në një të vetme,
E plotë është Zemra ime.
Si një gogël mes yjeve
Hëna pulitën syrin e zbehtë,
Pastron sklepat me një kometë,
Xheloze shket si nuselale
në terr dhe shkon të flejë.
Dielli syrin nxjerr, ngroh dhe kreh qerpikë
Ne jetën jetojmë.
E dashur...
unë jam atje ku je ti
Dhe ti je atje ku jam unë,
në rrjedhën e trazuar të viteve moderne.
Në lëvizje dhe përpjekje është jeta jonë.
Si në tastierat e një pianoje,
Vërshojnë tingujt hapësirave të pafundme,
Në ngjitje dhe zbritje,
Në autostrada, rrugë dhe udhëkryqe.
Të larta janë notat e trenave të hekurta të javës,
Zhurmojnë tramvajet e rënda të ditës,
Trokojnë, avull nxjerrin prej vrapit kuajt e orëve.
Nota të buta, harmonike kanë dëshirat e paqme,
Të vendosura në sirtarin e komodinës
Pranë krehrit dhe pasqyrës.
I djersirë nxitoj dhe shtrydh pjalmin e kohës,
Më rëndon çanta prej romaneve të pashkruara.
Me vrasin gjumin personazhet grindavecë,
të qetë s’më lënë.
S’e humb toruan, më udhëheq e jotja dritë,
Kurmi yt i dredhur më dhuron qetësinë.
Unë jam dremitja, ti je ëndrra...
E dashur...
brenda syve të tu
Shpërthen blerimi, të çlodh freskia,
Të dehën aroma e luleve, të ngop dashuria.
Brendia
Misteri i madh e detit blu,
Zhytem dhe zbuloj mijëra korale,
Notoj tok me delfinët mes dallgëve,
nuk u shmangem uraganeve,
Shume pranë është bregu i shpresës së mirë.
Kryet ngre, kap lartësitë,
Ngrihem mbi re,
Përfshij hapësirën qiellore,
Besoj se me ty Universi
Është një simfoni,
Jetën jetojmë
Unë dhe ti.
E dashur...
sa më thellë zhyteni
Brenda syve të mi,
Gjeni
Të parën fjalë që tu tha,
Dorën e ngrohtë që tu dha.
Gjithnjë e me tepër e kuptoni
Sa shumë të përket zemra ime.
Çiltërsia është burimore, kristalore,
Besa fisnike, burrërore.
I plotë ndjehem kur jam pranë teje
Dhe jetën jetojmë.
E dashur si reze shkëlqimtare
Hyre në zemrën time,
Atë natë dimërore
Akulli shkruante të lashta hieroglifë,
Në rrugë, strehët e shtëpive
Dhe në labirintet e mendësive.
Hape çdo dritare,
Puthe çdo petale,
Shpejt u çelën sythe.
Ish e bukur magjepsje.
Buzëqeshe dhe agimet zgjove,
Gazmend më dhurove.
Zërat e breznive dëgjove.
Shungullimën e zvargur të shekujve.
Betimin e madh të të parëve;
Për gjuhë, komb dhe mëmëdhe.
Njëherësh shtëpinë e ëndërrimeve
atje gjete
Dhe rrugën e gjatë të vërtetësive.
E dashur...
Në sytë tanë,
Gëlon bota e tërë,
Shohim se çfarë ndodh nga njëri pol tek tjetri,
Prej vargmaleve Roki, të Kanadasë,
Në Alpet me borë të Shqipërisë.
Përherë zgjuar qëndrojmë
Dhe jetën jetojmë...
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment