Sunday, February 12, 2012

Vullnet Mato - ARTISTËT TURQ TE MONUMENTI I SKENDERBEUT


 

Vullnet Mato

ARTISTËT TURQ
TE MONUMENTI I SKËNDERBEUT

U gjënda kur artistët
e një ansambli turk,
te monumenti i Skënderbeut
filluan të pozonin.
Turkeshat kukuriseshin
nën piedestalin e gurtë,
për testikujt e mëdhenj
të kalit prej bronzi.

Mu duk sikur strategu
u përkul përmbi jele,
dhe u foli më bukurosheve
që gajaseshin atje:
Katragjyshet tuaja më ndiqnin
gjer në Dardanele,
nga Izmiri, Stambolli,
deri poshtë në Edirne;

Ato linin kokën atëherë
për mjekrën time,
por unë s’i përfillja
se në kokën plot halle,
bukuria arbërore
më trazonte mendimet 
dhe prisja rastin t’u prija
shqipeve në male;

Ndaj mos qeshni me ato
që i varen kalit te shalët,
tani që gjoku ka ngrirë
nën ndenjëset e mia,
por pyesni për shpatën
që tmerroi sulltanët,
dhe e farkëtoi
për gjithë shekujt historia!...  

No comments:

Post a Comment