Tuesday, February 28, 2012

Fatmir Terziu - SONET NË DITËLINDJEN E NËNËS


Fatmir Terziu


SONET NË DITËLINDJEN E NËNËS

Kënga e zogjve, e vetmja orë në shtëpinë tonë
masnim me të tendosjen e Dimrit,
ajo njoftonte stinën kur çelnin karakaftet
dhe kur duhet të nxirrnim këmishën e vetme nga rafti...
Prej zogjve dinte nëna kur duhej mbledhur balta
që të thurte çerepët e bukës së ngrohtë
e dinin, zogjtë, kur shfaqej “jorgani i fukarait”*.

Dëgjonim kështu me sy të pafjetur. Kënga e zogjve
na zgjonte në mesnatë dhe bëheshim palë
me ikjen e lehtë të nënës
që shkërmoqte gurë nën këmbë të zbathura
duart dhe sytë i bëheshin pikë,
larg mungesës së babait
edhe duke ecur sikur qëndiste pajën e motrave.

Kënga e zogjve lajmëronte edhe lulet rreth shtëpisë,
Skalitur pranverat me lëndina bari të gjelbër,
Anës mureve të gurta dhe rrethit të avllisë.
Zogjtë gjenin qoshkat e mureve dhe ngrinin foleja,
se kudo gëlqerja kishte shenjën e gishtave të nënës,
brezi me ngjyrë dheu të kuqërremtë,
ndante të bardhën nga e zeza dimërore.

Sot e kësaj dite falënderoj këngën e zogjve
Edhe pse ndonjëherë kam mëkatuar me ta
Gurë dhe çarqe u ngreja atëherë mes arës,
me gjasa se mbroja “vjedhjen” e kokrrave të misrit
ndjej edhe sot dhimbjen therëse të pendesës
mungesën e këngëve të zgjimit të natës së gjatë
që mbase gdhiu prej këngës së tyre lutëse, prekëse...

U jam mirënjohës zogjve, të gjithë qiejve,
Më së shumti atyre që ndodhi të vinin në atdheun tim,
u ndjehem borxhli që kurrë nuk i falënderova,
për zgjimin herët në Ditëlindjen e Nënës...
me druajtjen mos i bënin fajtor edhe ata...

*Dielli ishte një legjendë më vete e ardhur nga kohërat.
Ai quhej “jorgani i fukarait”.