Monday, October 1, 2012

Vullnet Mato -TROKU LEGJENDAR




Vullnet Mato

TROKU LEGJENDAR

Thuhet shpesh në biseda:
“Punon si kali ai njeri!”
pasi kjo krijesë e fuqishme,
me shtatin gëzof prej drite,
shquar gjatë shekujve
për bindje dhe urtësi, 
mbeti punëtori i madh
për gjithë punët praktike.

Njëthundraku i mrekullueshëm
që u shfaq në këtë botë,
qysh në mugëtirat e para
gjatë njerëzimit të egër,
shërbeu për çdo njeri,
me përkushtim të pashoq,
dhe nuk meriton të quhet
“kafshë” si gjithë të tjerët.

O, ai shpirti i tij solidar
të flet me sy njësoj si mik,
me dridhjen e buzës
transmeton ndjesitë e veta,
turfullon për të lajmëruar
kur afrohet ndonjë rrezik,
me rrahje këmbe tregon
se është gati për të përpjeta.

Shoqërimi me kalin lehtësoi
barrën e madhe mijëvjeçare,
kur njeriu s’mund të çante
rrugën e gjatë të historisë,
me këmbët e tij të ngathëta
dhe me shpinën hamalle,
pa pasur gjigantin trokaik,
si pjesë kryesore të zotësisë.

Kali çoi Gjergj Elez Alinë
te mejdani i bajlozit të zi,
kali afroi malet dhe fushat
nga horizontet pambarim,
kali bëri dasmat dhe solli
Doruntinën në shtëpi,
kali bëri disa luftëra
nga lindja në Perëndim.

Pa kalin a do kish korrur
beteja shpata e Skënderbeut,
kur mbi kalin legjendar
ndante më dysh malin?...
Pa kalërimin s'do u mbetej,
gur kështjellave të atdheut,
që të gdhendej në bronz
Skënderbeu dhe Kali ?!...

No comments:

Post a Comment