Wednesday, October 24, 2012

Qazim Muska - PO VIJ




Qazim Muska



PO VIJ 
 
Po vij, o vendi im,
Po vij!
Si udhëtar i vonuar
Me trastën e mallit në shpinë
Dhe zemrën e shqyer prej dashurisë dhe brengës.
Më prit,
Si pelegrinin tempulli i shenjtëruar,
Të falem aty,

Ku sythi im çeli
Ngjizur nga etërit,
Dhe u rrit me përkujdesje dhe plagë
Ku dhembja na përkëdheli lëkurën e njomë
E lastarët u mbushën me vragë.
Më prit o vendi im,
Më prit!
Me vete kam lotin e ngrirë
Nga humbjet dhe fitoret pa hare
Dhe në shpirt diellin e mëngjeseve
Tek del mbi Mal të Thatë
Pëllumbth i ri shprese.
Po vij
Aty ku më thërrasin mijëra zëra
Lidhje kapilarësh të padukshëm.
Nuk jam Odiseu
As ti nuk je Itaka e famshme
Por kemi diçka të përbashkët
Diçka fluide,të pakapshme
Nga ata të parët, antikët
Deri tek ne të rinjtë, kibernetikët
Kështu jam dhe unë
Pjesëza jote
Që vij tek ty thirrur
Nga një zë fëmije,
Nga një puthje fshehur nën një bli,
Nga një këngë kitare nën akaciet e vjetra,
Nga një ëndërr endur nëpër qiellin tënd të bruztë,
Nga një plagë hapur në zemër pa shërim,
Nga një kujtim fluturak rendur nëpër kohë,
Nga një dhembje shpirti e paqetësuar ende,
Nga një dashuri e madhe që s’më dehu kurrë…
…dhe nga një rreze përskuqur në horizont
Ku dita perëndon e lodhur si një bujk.
Po vij o vendi im
Po vij!


No comments:

Post a Comment