Agim Bacelli
MOTËRZA IME...
Kur ti ishe e vogël, ti mbaj mënd sytë,
Të shkëlqenin nga zemra e gëzuar.
Si ty motërz e vogël, s'kishte të dytë;
Atë kohë kurrë s'kam për ta harruar!
Me shpejtësi ti rriteshe për çdo ditë,
Për ditë lumturia të zbukuronte.
Nga ty, shtëpia më shumë merrte dritë.
Prindërit, motrat, mua më lumturonte...
Befas një ditë, për pakë sa s'u trete
Kur pa dashje telin elektrik more në gji!
Unë rrezikun tënd e mora me vete,
Si mund të jetonin pa ty sytë e mi?!
Sot e martuar motërz, larg meje qëndron,
Ndjej mungesën e vegjëlisë plot magji.
Shpesh, në fëmijërinë tonë mëndja më shkon,
Kohën që dhemb e ndjej me shumë nostalgji!
No comments:
Post a Comment